Site icon Telegrafi

Humanizmi i munguar për fëmijët në nevojë

Me 1 Qershor ishte Dita Ndërkombëtare e Fëmijës, kurse 2 Qershori, thuhet të jetë dita e Babait, të cilat që të dyja, shumë fëmijëve jetim në Kosovë, për vite me radhë u mungojnë. Edhe pse në mediet vizive vendore e ndërkombëtare, shprehen urime dhe përgëzime të “sinqerta” drejtuar të gjithë fëmijëve, ato megjithatë nuk arrijnë çdo herë dhe në çdo vend, deri te të gjithë ata, madje më së paku te fëmijët e varfër të cilët kanë nevojë edhe për ndihma, mungesa e të cilave ua ndalon rritën normale dhe prishë fëmijërinë e pa jetuar, ngase bashkë me mëngjesin e tyre që fillon i lodhur, nis edhe lypja që ata i mundon ndër vite, duke qëndruar gjatë tërë ditës përjashta në rrugë, dimër e verë, në borë dhe shi me duar të shtrira para secilit kalimtar për sado pakë lëmosh, nga e cila duhet ta sigurojnë mbijetesën e tyre të rëndë dhe të zorshme.

Ata fëmijë që jo vetëm në ditë festash të cilat janë më të theksuara, por përgjatë gjithë viteve sa atyre u mungon njëri apo të dy prindërit, shumë prej tyre bëjnë jetë të mundimshme dhe në varfëri të skajshme, të lënë anash dhe tërësisht pas dore, pothuajse pa kurrfarë përkujdesje institucionale, sidomos pas luftës së fundit në Kosovë. Gjendja e fëmijëve të varfër dhe jetimëve në Kosovë, është përkeqësuar shumë pasi që edhe institucionet e vendit, si ato lokale edhe ato qendrore, thuajse nuk kanë treguar as një interesim për pozitën e rëndë të tyre me ndonjë një projekt sado të vogël konkret për përkujdesje ndaj këtyre fëmijëve të mbetur në mëshirën e fatit të vogël në vend, apo ndihmës së kufizuar të ndonjë bamirësi individual.

As me rastin e manifestimit të kësaj dite, përkundër mesazheve të shumta dhe “dashamirëse” nga zyrtarët komunalë dhe ata qendrorë, apo edhe nga Ministria e Arsimit, përkundër kërkesave për parandalimin e dukurive negative, si alkooli, droga e duhani nëpër shkolla e deri te trafikimi me fëmijë, të cilët në porosit e tyre, edhe kërkuan që tu ndihmohet fëmijëve në nevojë, megjithatë edhe një herë u shpërblyen ata që kishin, edhe pse pranë binave të manifestimit, shumë fëmijë lypsar para bashkëmoshatarëve të tyre që festonin me hare, shtrinin duart për lëmoshë në mënyrë që ta “mbytnin” varfërinë e tyre të madhe. Varfërinë, të cilën përkundër faktit tragjik se ajo ekziston dhe në raste të tilla shpërfaqet më qartë se në çdo moment tjetër të rëndomtë, me tërë tragjiken e saj marramendëse, para zyrtarëve tanë shtetërorë, megjithatë manifestimi për ditën ndërkombëtare të fëmijëve në shtetin tonë të ri, kaloi i pakarakterizuar me asnjë gjest të vetëm humanitar të paktën ndaj një fëmije, qoftë ai një dhe i vetëm, nga shumë fëmijë të varfër dhe jetim sa ka në Kosovë.

Exit mobile version