Site icon Telegrafi

Humanizmi dhe çështja e Palestinës

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një fryme më solidarizuese me Palestinën e palestinezët. Në shumë raste shohim fotografi, mesazhe, e reagime që janë të lidhura me ngjarjet e fundit që po ndodhin atje. Ky solidarizim moral, meqenëse i vonuar, sigurisht që bëhet me qëllim të mirë, por që në shumicën e rasteve mbi premisa të cilat nuk e shpërfaqin thelbin e problemit.

Në shumë raste çështja po trajtohet si krizë humanitare dhe palestinezët po mbrohen përmes viktimizimit. Thuhet se atje po merren jetë viktimash, qahen viktimat se po vriten, kërkohet intervenim për shpëtimin e viktimave etj. Dhe, këtu fillon trajtimi i problemit përmes parametrave që nuk sjellin zgjidhje të qëndrueshme.

Kjo është ajo që Slavoj Zhizhek e quan ideologjia e viktimizimit, në kritikën e tij ndaj trajtimit të çështjes së Kosovës në esenë “NATO, dora e majtë e Zotit?” Duke e përshkruar se si funksionon logjika e ideologjisë së viktimizimit, ai thotë sr “është krejt normale të ndihmohen shqiptarët e papërkrahur të cilët përballen me agresionin e monstrumëve serbë, por në asnjë mënyrë ata (shqiptarët) nuk duhet lejuar që ta heqin këtë papërkrahjen e tyre, të bëhen të zotët e vetës duke qenë subjekt sovran e politik – subjekt që nuk ka nevojë për strehimin e dashur të protektoratit të NATO-s. Jo, ata duhet të qëndrojnë viktima.”

Përshkrimi i Zhizhek-ut vlen plotësisht për të treguar prizën përmes së cilës po trajtohet çështja e palestinezëve. Duhet sqaruar se Zhizheku nuk po e mohon faktin se shqiptarët (e në këtë rast edhe palestinezët) kanë pësuar dëme. Përkundrazi, ky pësim njihet fare mirë. Por, frika qëndron në trajtimin që u bëhet si të paaftë, me ç’rast krijohet nevoja për mbrojtje. Rrjedhimisht, nuk zgjidhet problemi, por veç mirëmbahet. Gjithashtu, ndihma për palestinezët nuk kërkohet për shkak se krahu i tyre ka të drejtë, por sepse janë viktima. Dhe, për sa kohë që janë viktima ata mund të shtypen gjithmonë me arsyetimin e nevojës për t’i “mbrojtur” sërish për shkak të paaftësisë së tyre e jo për shkak të së drejtës.

Të gjithë ata që problemin e Palestinës e shohin si krizë humanitare, duhet ta kuptojnë se një gjë e tillë tregon jo veç se nuk po kërkojnë drejtësi për të tashmen, por edhe se po e vënë në rrezik të ardhmen. Duke tentuar t’i shpëtojnë palestinezët pa e njohur të drejtën e tyre për të pasur shtet, pa e dënuar gjenocidin dhjetëravjeçarë izraelit, e pa e shpallur atë si fajtor, palestinezët po shpëtohen nga mëshira, e para Izraelit po mbyllet njëri sy në mënyrë që ky shtet të shpëtojë pa asnjë therë në këmbë. Dhe, jo vetëm aq. Palestinezët vazhdojnë të mbesin viktima, gjithmonë me nevojën për mbikëqyrje e protektorat. Këtu duhet kujtuar historinë e Palestinës me protektoratin e Britanisë së Madhe, protektorat ky që e mundësoi kolonizimin e Palestinës. Pra, Palestina e di më së mirë se ç’dëm i ka sjellë protektorati ndërkombëtar!

Një rrezik tjetër që kjo qasje paraqet është se vë në pyetje vetë mundësinë për zgjidhjen e problemit. Duke e depolitizuar çështjen e Palestinës, aty mund të tentohet barazimi i fajtorit me ç’rast të dy palët (edhe palestinezët edhe izraelitët) që luftojnë quhen agresorë dhe ata që e pësojnë në të dy anët quhen viktima. Palestinezët nuk do të njiheshin më si popull i shtypur që bën përpjekje për çlirim, por një pjesë e tyre kategorizoheshin si agresorë (ata që në të vërtetë e luftuan agresorin e vërtetë) dhe ata që pësuan do kategorizoheshin si viktima. Kështu, palestinezëve nuk do t’u njihej e drejta për të jetuar të lirë. As e drejta për të pasur shtet. As e drejta për vetëvendosje. Rrjedhimisht, duke u neutralizuar faji do të shpronësohej shtypja me ç’rast do të amnistohej shtypësi!

Duke e parë rezistencën palestineze tek po kategorizohet si agresore dhe e barabartë me shtypjen izraelite, nuk humb vetëm shpresa për palestinezët, por edhe për popujt tjerë të shtypur anekënd botës. Barazimi i luftës për çlirim me luftën për pushtim ose vazhdim të shtypjes është demoralizim i çfarëdo rezistence që mund të lindte tek popujt tjerë të shtypur. Kështu, liria ka gjasë të pamundësohej edhe më tej për ta.

Mos definimi i zgjidhjes së problemit mbi bazën e të drejtës së popujve për vetëvendosje, por për shkak të humanizmit, mund edhe të jetë kërkesë e dëshpëruar për shpëtim, pasi që Palestina nuk gëzon përkrahje ndërkombëtare ashtu siç ka Izraeli, por e njëjta nuk vlen edhe për ata që e kanë gjetur “mesin e artë” – neutralët. Në rastin kur kemi në njërën anë shtypësin dhe në anën tjetër të shtypurin qëndrimi neutral është automatikisht miratim i status quos – rrjedhimisht përkrahje për shtypësin.

Rasti i Palestinës duhet të trajtohet si çështje e karakterit politik ku edhe palestinezëve, ashtu si edhe popujve të tjerë nëpër botë, u njihet e drejta për vetëvendosje. Njohja e shtetit të Palestinës si anëtare me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara duhet të jetë një hap i menjëhershëm. Dhe, ironikisht, kjo është urgjencë, ashtu siç thuhej se ishte ajo e pas Luftës së Dytë Botërore për hebrenjtë, ku proklamohej se atyre u duhej një shtet amë që do t’i strehonte e do t’i mbronte!

 

 

 

Exit mobile version