Telegrafi

Humanity First dhe Shoqata AMJ shpërndajnë mbi një ton mish për Fitër Bajram në Prishtinë

Shoqata “AMJ” së bashku me Organizatën “Humanity First”, dega e Gjermanisë, ka njoftuar se përmes vullnetarëve të saj shpërndau mbi një ton mish në Komunën e Prishtinës, në dy lagjet e kryeqytetit, Tophane dhe Aktash.

Sipas tyre, është zgjedhur Prishtina pasi ka numrin më të madh të rasteve të regjistruara që marrin ndihmë sociale.

“Kjo shpërndarje u bë në bashkëpunim me Koordinatorin për Projekte pranë Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Premtim Fazliu”, thuhet në komunikatë.

Përfitues të këtij dhurimi ishin 1773 persona, përfshirë fëmijët, dhe secila nga 350 familjet i kishte nga 2-3 kilogram mish.

“Një grua që ishte përfituese duke falënderuar dhe me lot të sy, gjersa merrte pakon e mishit, thoshte: “Faleminderit Humanity First, Zoti ju ruajt! Ia keni zgjatur jetën fëmijëve të mi”. Si Organizatë, falënderojmë popullin e Kosovës që na mundësoi që në vigjilje të kësaj feste, të jemi pranë këtyre familjeve në nevojë, t’ia çlirojmë barrën dhe t’ua fshijmë lotët nga sytë”, thuhet në fund.