Site icon Telegrafi

Human Rights Network dënon sulmin e ministrit Murati ndaj mediave dhe shoqërisë civile

Në Kuvendin e Kosovës të enjten u diskutua për përmbajtjen e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Kosovën, në të cilën ministri Hekuran Murati, ka thënë se raportuesi në disa raste ka rënë pre e dezinformatave të disa mediave që ende janë pjesë e gardave të vjetra edhe disa OJQ-ve.

Organizatat anëtare të Human Rights Network (HRN) kanë ndjekur me shqetësim diskutimet në Kuvendin e Kosovës mbi këtë raport dhe deklaratat shqetësuese të Ministrit të Financave Hekuran Muratit. Në fjalimin e tij, Ministri Murati ka thënë se “…Nëse hymë edhe në cilësi pastaj i analizojmë fjalitë e shohim që në disa raste edhe raportuesi ka rënë pre e dezinformatave të disa mediave që ende janë pjesë e gardave të vjetra edhe disa OJQ-ve që maskohen si të tilla apo janë zgjatime të gardës së vjetër.…”.

“Deklarata me akuza të tilla drejtuar OJQ-ve dhe mediave në Kosovë me pretendimin se janë të kapura nga Qeveritë paraprake, janë sulme direkte ndaj këtyre të fundit. Një praktikë linçuese e kësaj natyre ndaj OJQ-ve, dhe mediave, pikërisht në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, është një tregues i mungesës së bashkëpunimit, i një nënçmimi dhe degradimi të punës së aktivistëve/eve dhe gazetarëve/eve e mediave nga ministri i Qeverisë Kurti”, thuhet në komunikatën e HRN, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Murati i përgjigjet opozitës: Në raportin e DASH-it ka përgjysmim të korrupsionit me këtë Qeveri

Sipas HRN, raportet e tilla si ai i shoqërisë civile për të Drejtat e Njeriut, DASH-it, Komisionit Evropian dhe të tjerë, do të duhej të shërbenin si një pasqyrë e ngecjeve dhe problemeve me të cilat po përballet shteti dhe qytetarët e Kosovës dhe mbi bazën e tyre do të duhej të reflektojë çdo Ministër/e për punën e tij/saj.

“Pikërisht duke u nisur nga kjo praktikë e rrezikshme e linçimit dhe denigrimit të punës së OJQ-ve dhe mediave dhe shumë rasteve të tjera në vitin e fundit, sot Kosova ka shënuar regres alarmant duke u radhitur 19 vende më poshtë në indeksin e Reporters Without Borders në lirinë e medias. Deklarata si kjo e ministrit Murati i kontribuojnë tutje këtij trendi negativ”.

“Organizatat anëtare të Human Rights Network (HRN) ju bëjnë thirrje qeveritarëve që të përmbahen nga deklaratat linçuese dhe t’i shfrytëzojnë raportet e tilla, duke përfshirë edhe Raportin e Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut 2023 që do të publikohet me 16 maj 2024, si kritikë konstruktive ndaj punës së tyre dhe të punojnë drejtë përmirësimit të situatës në vend”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version