Telegrafi

Hulumtimi i NDI: Gjatë fushatës elektorale në Kosovë ka pasur numër të madh të lajmeve të rreme dhe diskurs me përmbajtje seksiste

Organizata joqeveritare NDI zyra në Kosovë, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK ka organizuar nja konferencë virtuale në lidhje me dezinformimin e publikut gjatë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Në këtë konferencë virtuale kanë marrë pjesë: Muhamet Hajrullahu – Kryeredaktor në Telegrafi.com, Kreshnik Gashi – Kryeredaktor në kallxo.com dhe autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Tatjana Lazarevic – Kryeredaktore në Kossev, Abit Hoxha – Hulumutues në Universitetin Adger në Norvegji. Moderatore: Adea Beqaj, Zyrtare e Programit në NDI Kosovë.

Hulumtimi i NDI-së ka gjetur se në Kosovës ekziston një terren i përshtatshëm për shpërndarjen e lajmeve të rreme gjatë periudhave parazgjedhore.

Hulumtimi thotë se gjatë fushatës elektorale për Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë është vërejtur një numër i  madh i lajmeve të pasakta dhe lajme me përmbajtje seksiste.

Në raport thuhet se pos lajmeve të rreme ka pasur edhe sulme verbale ndaj partive dhe individëve.

Nga këto të gjetura është vërejtur se një numër i madh i lajmeve kanë ardhur nga Serbia, Rusia e Bosnja, derisa mediat transmetuese nuk e kanë treguar se lajmet kanë ardhur nga Rusia.

Panelistët e konferencës së organizuar nga NDI

Gjithashtu thuhet se janë manipuluar fotografi e video të ndryshme për të dërguar mesazhe specifike politike në lidhje me kandidatët që kanë qenë në garë.

Hulumtimi vë në duke edhe shpërndarjen e materialeve të papërshtatshme në raport me gratë, pamjen e tyre, jetën familjare etj.

Raporti përmend se ndër më të sulmuarat ishte Vjosa Osmani./Telegrafi/