Site icon Telegrafi

Hulumtimi: Gratë që punojnë ulur kanë trup tetë vjet më të vjetër

shutterstock

Qëndrimi i tepërt ulur rëndon shpinën, tetivat, qafën dhe shpatullat dhe shkakton tharjen e muskujve glutealë të vitheve, gjithashtu ndikon keq edhe në shëndetin mendor

Sipas një studimi të fundit, nëse punoni në një zyrë në pozicionin ulur, kaloni më shumë kohë ulur sesa një person mesatar mbi moshën 75 vjeç.

Ky trend shqetësues i qëndrimit shumë ulur dhe moslëvizjes ndikon keq në shëndetin e përgjithshëm, thonë mjekët dhe paralajmërojnë se qëndrimi i tepërt ulur është po aq i dëmshëm për trupin sa edhe pirja e duhanit.

Qëndrimi ulur ngarkon shpinën, kërdhokullën, qafën dhe shpatullat tona dhe shkakton tharje të muskujve gluteal të vitheve, veçanërisht nëse jemi të përkulur ose mbi tavolinë. Mjekët thonë se qëndrimi i tepërt ulur dhe fare pak ushtrime ndërmjet tyre mund të çojnë lehtësisht në inflamacion të nervit më të madh në trupin e njeriut; nervit shiatik.

Ai kalon nga shtylla kurrizore përmes ijëve dhe poshtë në pjesën e pasme të këmbëve, ku një person zakonisht ndjen dhimbje kur shtrëngohet, transmeton Telegrafi.

Dhimbja pastaj shkon edhe nga ijët dhe mund të jetë e lehtë, e mprehtë, ndjehet djegie dhe ndjesi shpimi gjilpërash”, thonë mjekët dhe shtojnë se qëndrimi ulur shkakton edhe shkurtim të muskujve të ijëve, gjë që mund të sjellë probleme me kyçet.

Po kështu, qëndrimi ulur për një kohë të gjatë mund të shkaktojë probleme me shpinën, veçanërisht nëse uleni vazhdimisht në një pozicion të keq ose nuk përdorni një karrige të dizajnuar në mënyrë ergonomike, si dhe mund të jetë shkaku i ngjeshjes në disqet e shtyllës kurrizore, gjë që çon në degjenerimin e saj të parakohshëm, e cila shpesh është shumë e dhimbshme.

iStock

“Në atë rast, mjeku mund të përshkruajë medikamente për të reduktuar dhimbjen dhe inflamacionin në artrit dhe probleme të tjera të dhimbshme të ijëve, të cilat janë në dispozicion si kremra dhe xhel”, shkruan WebMD.

Mjeku mund t’ju ndihmojë gjithashtu duke përshkruar kortikosteroide, qetësues dhimbjesh dhe medikamente për trajtimin e sëmundjeve autoimune dhe inflamatore.

Hulumtimet mbi gratë që punojnë ulur treguan se qëndrimi ulur për më shumë se dhjetë orë në ditë bën që trupi i tyre të jetë biologjikisht më i vjetër për tetë vjet, dhe studiuesit gjermanë kanë treguar se qëndrimi ulur rrit rrezikun e disa llojeve të kancerit – si kanceri i zorrës së trashë, mukoza e mitrës dhe mushkëritë.

Hulumtimet kanë lidhur qëndrimin ulur me një sërë problemesh të tjera shëndetësore. Mund të jetë përgjegjës për obezitetin, presionin e lartë të gjakut, sheqerin e lartë në gjak, yndyrën e tepërt të trupit rreth belit dhe nivelet e kolesterolit jo të shëndetshëm.

Ndikimi i shumë uljes dhe fare pak lëvizje në shëndetin mendor

Mungesa e lëvizjes së mjaftueshme gjatë ditës mund të ndikojë gjithashtu në shëndetin mendor të një personi, dhe studimi i publikuar së fundmi thotë se njerëzit që kalojnë më shumë kohë ulur janë në rrezik më të lartë të depresionit.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se edhe pse është gjetur një lidhje, nuk mund të thuhet se pozicioni i trupit shkakton depresion dhe të gjithë ata që ulen shumë këshillohen të bëjnë shëtitje të shkurtra të shpeshta gjatë ditës së punës.

“Personat që punojnë nga shtëpia mund të bëjnë një shëtitje para, pas dhe gjatë ditës së punës, për të pasur ndjesinë e udhëtimit për në punë, e cila është vërtetuar se na sjell dobi fizikisht dhe mendërisht”, përfunduan mjekët. /Telegrafi/

Exit mobile version