Site icon Telegrafi

Sqarohen nga “Polluzha Tours”: S’jemi sulmuar, xhami i autobusit është thyer pas goditjes nga një shpend

(E përditësuar) Autobusi i “Polluzha Tours” nuk është sulmuar. Sipas njërit prej pronarëve të kompanisë xhami i përparmë i autobusit që po kalonte në afërsi të Nishit në Serbi, është goditur nga një shpend.

“S’bëhet fjalë për sulm. Gjatë kalimit nëpër autostradë, xhamin e autobusit e ka goditur një shpend, zog apo hut”, ka thënë Selim Hoti për Klan Kosova.

“Pas dëmtimit të xhamit autobusi nuk i plotëson kushtet për të vazhduar tutje. Tash jemi rrugës me autobusin tjetër për t’i marrë udhëtarët dhe dërguar në destinacion”, ka vazhduar ai.

Fillimisht u raportua se huliganët serbë e kanë sulmuar një autobus të “Polluzha Tours”,  i cili ishte duke udhëtuar nga Kosova për në Gjermani.

Njëri nga udhëtarët i cili ishte autobus  tha se sulmi ka ndodhur në afërsi të Nishit.

“Në hyrje të Nishit na kanë gjuajtur me gurë, ku na kanë thyer xhamin përpara, e tash jemi duke e pritur autobusin tjetër”.

“Lëndime s’ka pësuar askush, ndonëse jemi afër 60 persona në autobus. Tabelat e autobusit na i ka marrë policia, sepse me tabela RKS na kanë thënë se është rrezik që të vazhdojmë”, tha ai, për Klan Kosova.

Më tej, ai tha se policia serbe i ka thënë se duhet të presin 6 deri në 8 pasi ka kolona të gjata në Merdar.

Exit mobile version