Xherdan Shaqiri është duke kaluar nëpër një formë fantastike në këtë fillim edicioni.
Anësori nga Kosova, ka shfaqur klasin e tij dhe ka kontribuar në gjashtë gola për Stoke Cityn.
Gjilanasi ka arritur ta dërgojë dy herë topin në rrjetë, ndërsa në katër raste të tjera ka asistuar për bashkëlojtarët e tij.
Trajneri i Stoke Cityt, Mark Hughes e ka ngritur në qiell Shaqirin pas paraqitjeve të mira në Ligën Premier.
“Shaqiri që në start të këtij edicioni ka pasur formë të mirë edhe në ndeshje por edhe në stërvitje”.
Sipas trajnerit të Stoke Cityt, nuk ka qenë e lehtë për të të shpërthejë menjëherë në kampionatin anglez.
“Për lojtarët kreativë nuk është fare e lehtë të shpërthejnë në Ligën Premier në fillimin e tyre. Shaqiri është një lojtar i madh dhe tejet i talentuar por edhe presioni është gjithmonë prezent tek ai”, tha Hughes.
“Falë Shaqirit edhe pjesa tjetër e ekipit ka ngritur nivelin këtë edicion. Falë paraqitjeve të Xherdanit ne këtë vit jemi më të mirë”, deklaroi Hughes.
Pas 11 ndeshjeve në kampionatin anglez, Stoke City ka grumbulluar 12 pikë duke shënuar tri fitore, tri barazime dhe ka pësuar pesë humbje.
Në fundjavë, Xherdan Shaqiri me shokë do të luajnë në udhëtim tek Brighton. /Telegrafi/