Site icon Telegrafi

Huffington Post: A po e shtyn Evropa Kosovën drejt Erdoganit?

Një shkrim i botuar në Huffington Post nga Fron Nahzi, drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Global në Institutin McCain për Lidership Ndërkombëtar, flet për atë se si Evropa me ndalimet që po i bën Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, po e shtynë vendin e ri e të vogël drejt Turqisë, apo “neo-otomanizimit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan”, njofton Klan Kosova.

Dhe këtë ndikim turk Nahzi mundohet ta argumentojë në shumë mënyra – një prej tyre edhe me rritjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 11 qershorit.

Analisti i jashtëm i CNN, BBC-së e kolumnist i shumë gazetave amerikane e britanike, shkrimin e tij e nis me betimin e Albin Kurtit në Kuran gjatë fushatës së zgjedhjeve të tetorit.

“Fjalimi në fillim erdhi si shok. Në një tubim partiak para zgjedhjeve të tetorit lideri i partisë opozitare Vetëvendosje, Albin Kurti, u betua në Kuran se fitorja do të jetë e tyre. ‘Kur të vijmë ne në pushtet’, u tha ai mbështetësve, ‘do t’i japim fund islamofobisë”, shkruan në rreshtat e parë të shkrimit të tij Nahzi.

Sipas këtij shkrimi, Kosova, përkundër shumicës absolute myslimane, dikur ishte mbështetëse e madhe e perëndimit dhe kishte sytë ka SHBA dhe Evropa, por tash, “18 vjet pas lufte, vendi po merr rrugë të tjera”.

“Kosovarët janë të frustruar nga papunësia, korrupsioni i madh dhe Evropa që po vazhdon t’i lë ata jashtë”.

“Si rezultat, gjenerata e re e liderëve të Kosovës po vjen në pushtet me slogane nacionaliste, dhe së fundi, kanë filluar të luajnë edhe kartën e Islamit, për ta zgjeruar bazën e mbështetësve të tyre. Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit nacionale fitoi 27 për qind, duke u bërë partia më e madhe në vend”.

“Vetëvendosje po ndihmohet. Turqia, Katari dhe të tjerë po mbushin boshllëkun e lënë nga BE dhe SHBA. Nën rrethana të paqarta, në vitet e fundit qeveria e Kosovës shpërbleu Turqinë me kontrata miliardëshe”.

“Ndërsa Katari, një mbështetës i hershëm i Erdoganit, besohet të jetë një nga donatorët më të mëdhenj të partive politike në Kosovë që përcjellin linjën islamiste të Erdoganit”.

“Me kohë, kosovarët humbën besimin në lidershipin ndërkombëtar, derisa Vetëvendosje po e rritë popullaritetin e saj. Duke mësuar nga ngjitja e Erdoganit në pushtet, Kurti bëri fushatën e tij duke portretizuar Evropën si të keqe dhe anti-kosovare”.

“Në zgjedhjet e tetorit, qytetarët e Kosovës u larguan nga retorika anti-perëndim e Kurtit dhe referencat e tij kuranore”, shkruan Fron Nahzi, duke aluduar se Vetëvendosja nuk fitoi njëjtë sikurse me 11 qershor, njofton Klan Kosova.

“Por, derisa Evropa dhe partitë qeverisëse në Kosovë të mos bëjnë ndonjë ndryshim, Vetëvendosje është vetëm një palë zgjedhje larg formimit të shumicës në Parlament”.

“Evropa duhet ta kuptojë këtë, duhet të heq vizat për kosovarët dhe t’i ndihmojë ata të bëjnë zgjedhjet e tyre në bazë të nevojave dhe aspiratave e jo frikës e frustrimit”. /klankosova.tv/

Exit mobile version