Anësori i Chelseat, Callum Hudson-Odoi, do të stërvitet këtë javë nëse del negativ në testin për coronavirus – bëjnë të ditur mediat angleze.
19-vjeçari ishte arrestuar mëngjesin e të dielës me dyshimin për përdhunim. Kjo për faktin se një modele, të cilën e kishte njohur në internet dhe e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ishte dërguar në spital.
Policia ishte thirrur me aludimet se ka ndodhur një incident në apartamentin e futbollistit, ku kishte mbërritur edhe një auto-ambulancë. Me atë rast, Hudson-Odoi u arrestua dhe më pas u lirua me garanci.
Futbollisti anglez është raportuar në bazën Cobham të Chelseat të hënën për ta bërë testin e coronavirusit, para se të kthehet në stërvitje gjatë javës me pjesën tjetër të skuadrës.
Sipas Evening Standard, Blutë presin që ai të përfshihet në seancat stërvitore, në rast se testi për COVID-19 del negativ.
Ka pasur frikë se Hudson-Odoi do të hynte në karantinë pasi i kishte shkelur rregullat e izolimit. Megjithatë, udhëzimet e reja të Qeverisë angleze lidhur me coronavirusin nuk e specifikon izolimin 14 ditor të ndonjë personi që është takuar me dikë që nuk ka simptoma. /Telegrafi/