Telegrafi

I huazuari i Man Utd, Amad Diallo dhuron spektakël dhe shënon gol në debutimin e tij te Rangers

Amad Diallo ishte absolutisht energjik në debutimin e tij me skocezët e Rangers pasi nënshkroi në huazim nga Manchester Unitedi.

Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka luajtur vetëm një herë për Unitedin këtë sezon, duke filluar si titullar në barazimin 1-1 në Ligën e Kampionëve ndaj Young Boys në Old Trafford në dhjetor.

Derby County thuhet se ishte i interesuar për talentin 19-vjeçar, por nga askund kampionët e Skocisë, Rangers, të enjten siguruan shërbimet e tij deri në fund të sezonit.

Diallo hyri direkt në 11-shen titullare për barazimin dramatik 3-3 të Rangers ndaj Ross County dhe bëri një ndikim të menjëhershëm, duke shënuar brenda vetëm pesë minutave në stadiumin Global Energy.

 

Kjo nuk ishte e tëra pasi ai tregoi talentin e tij në shumë raste gjatë ndeshjes, duke bërë driblime të hatashme dhe duke u përfshirë gjithashtu në golin e dytë të shënuar nga James Tavernier.

Por, e gjithë performanca e 19-vjeçarit të huazuar nga Djajtë e Kuq ishte seriozisht mbresëlënëse dhe ka ‘thyer’ rrjetet sociale.

 

 

I veshur me nr.9 në shpinë, ai ishte i ndritshëm dhe emocionues sa herë që e merrte topin në këmbë dhe dukej sikur do të prodhonte diçka.

Paraqitja e tij ka bërë bujë të madhe dhe tashmë tifozët kanë filluar të mendojnë se Diallo është shumë i mirë për të luajtur në kampionatin skocez. /Telegrafi/