Pas daljes në treg të Luxeed S7, një tjetër model i veturave i krijuar në bashkëpunim me kompaninë Seres, është prezantuar nga kompania kineze Huawei, e cila deri më tash lidhet më së shumti me telefonat inteligjentë.
Modeli i ri Aito M9, ka një kabinë mjaftueshëm të madhe sa për të strehuar gjashtë persona.
Përmban ekrane me prekje dhe tableta për pasagjerët e rreshtit të dytë dhe të tretë.
Karakteristikë e këtij modeli është edhe mundësia e palosjes së ulëseve me ngrohje dhe ftohje elektrike, e cila e shndërron Aito-n në një shtrat për dy persona.
Dy motorët e tij elektrik kombinohen për të dhënë 530 kuaj/fuqi.
Gjithashtu ka edhe një motor 1,5 litërsh me lëndë djegëse, i cili shërben si gjenerator për të karikuar bateritë. Kështu që me bateritë e karikuara, dhe aftësinë për t’i rimbushur gjatë vozitjes, Aito mund të udhëtojë deri në 1,400 kilometra.
Huawei ka zbuluar se versioni më i shtrenjtë i tij, M9 Ultra, do të kushtojë nën 80 mijë dollarë në Kinë. /Telegrafi/