Huawei ka ngritur një padi ndaj qeverisë amerikane pasi kjo e fundit iu kufizoi përdorimin e produkteve të kësaj kompanie disa prej agjencive të saja federale.
BBC shkruan se në padi, thuhet se qeveria dështoi të sillte dëshmi për këtë ndalim, ndërsa kompania ka refuzuar se ka ndonjë lidhje me qeverinë kineze.
“Kongresi i SHBA-ve në vazhdimësi ka dështuar të shpalosë ndonjë dëshmi që mbështet kufizimin e produkteve të Huawei. Ne jemi të detyruar që të ndërmarrim këtë veprim ligjor si mjetin e duhur dhe të fundit, pasi ky ndalim është i paligjshëm dhe dëmton konkurrencën e ndershme”, deklaroi shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Guo Ping.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kufizuar përdorimin e Huawei-t pas shqetësimeve për sigurinë kombëtare, duke aluduar se qeveria kineze spiunon përmes mjeteve të kësaj kompanie, përcjell KosovaPress.
Gjithashtu, ata po lobojnë tek vendet aleate që të bojkotojnë produktet e kësaj firme.