Në reklamimin e telefonit të ri P30, Huawei ka përdorur imazhe të gatshme prej internetit, sikur të jenë shkrepur nga kamera e avancuar që është punuar nga vet kompania.
Richard Yu është CEO i prodhuesit teknologjik, që postoi disa imazhe në Weibo, një rrjet social shumë i popullarizuar në Kinë, transmeton Telegrafi.
Të gjitha thuhej se ishin bërë nga kamera e P30, ndërsa në mes e kishin edhe një rreth që thuhej se ishte fokusi i “periscope zoom”.
Shumica e njohësve të fotografisë, menduan se imazhet janë shumë të mira për të qenë të vërteta, ndërsa kjo doli të jetë e vërtetë. Kërkimi në internet, tregoi se katër prej nëntë fotografive mund të blihen, teksa tjerat merren falas.
Imazhi i një fëmije me tri rosa, ka edhe autor të njohur, meqë Jake Olson, pretendon se e ka shkrepur vet. Fotografi ka thënë se Huawei nuk i ka marrë leje, por që nuk mund ta akuzojë sepse fotografia ishte shpërndarë në internet.
Deri më tani, Huawei nuk ka dhënë ndonjë deklaratë, ndërsa ky nuk është i vetmi rast, kur kompania ka kryer një mashtrim të ngjashëm. Gjatë vitit 2016, ishin shpërndarë fotografi të gatshme, kinse janë realizuar nga kamera e telefonit DSLR. /Telegrafi/