Telegrafi

Huawei me 37 për qind rritje vitin e kaluar

Huawei është një nga kompanitë më të mëdha të telefonave në botë për momentin, dhe është duke fituar popullaritet në tregjet globale, sidomos tek ato në zhvillim.

Kompania kineze publikoi rezultatet e saj financiare, me të ardhura rekorde vjetore  që kanë arritur në 61.10 miliardë dollarë në vitin 2015, një rritje prej 37 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kjo shënon rritjen më të madhe të kompanisë që nga viti 2008.

Fitimi neto i kompanisë arriti në 5.7 miliardë dollarë, që përbën një rritje prej 32 për qind në raport me vitin e kaluar.

Shumica e këtyre arritjeve kanë ardhur nga njësia e saj mobile, e cila ka parë një rritje mbresëlënëse në vitin e kaluar, me dërgesat që kanë kaluar 100 milionë njësi.

Kompania ka bërë një rrugë të gjatë, sidomos në biznesin e telefonave të saj të mençur, me modelet e avancuara të cilat ajo ka arritur që t’i ofrojë me çmime konkurruese. Dhe, kjo nuk vlen vetëm për Kinën, por edhe për tregjet globale.