Site icon Telegrafi

HRW për vitin 2023 në Kosovë: Dhunë, gjykime, shkelje e të drejtave të njeriut

Viti 2023 në Kosovë, sipas organizatës ndërkombëtare humanitare Human Rights Watch (HRW), u karakterizua, ndër tjerash, me eskalimin e dhunës në veri të Kosovës, sulmet ndaj gazetarëve dhe procesin e gjykimit për ish-krerët e UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Raporti vjetor i HRW-së, i publikuar më 11 janar, përmbledh ngjarjet kryesore të një viti në mbi 100 vende të botës. Për evidentimin e këtyre ngjarjeve, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, kjo organizatë bashkëpunon me organizata lokale.

Një vit më parë, fokusi kishte qenë në “progresin e ngadaltë për llogaridhënie për abuzimet gjatë kohës së luftës” në Kosovë. Këtë vit, përveç gjykimeve në Dhomat e Specializuara në Hagë, evidentohen tri aktakuza të ngritura për krime lufte, si dhe rigjykimi i një rasti të mëparshëm.

Kapitulli për Kosovën, në raportin e sivjetmë, nis me fjalinë “llogaridhënia për krime serioze dhe liri të mediave vazhdojnë të mbesin shqetësime urgjente”, ndërsa vazhdohet me përshkrimin e tensioneve në veri të Kosovës.

Tensionet në veri – veçanërisht gjatë protestave kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në zonat e banuara me shumicë serbe – u shoqëruan me numër më të madh të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve.

“Gazetarët vazhduan t’u nënshtrohen sulmeve fizike, kërcënimeve dhe pengimit në punën e tyre”, thuhet në raport, ku evidentohen gjithsej 60 incidente, përfshirë 16 sulme dhe 22 kërcënime.

Në këtë raport – ku për secilin nga 100 vendet evidentohen raste të shkeljes të së drejtave të njeriut – thuhet se në Kosovë vazhdojnë ende diskriminimi dhe kërcënimet ndaj personave të komunitetit LGBTI+ (lesbikë, gei, biseksual, transgjinor dhe ndërgjinor).

“Sipas organizatës lokale CEL, shumë persona të komunitetit LGBT u përballën me kërcënime, intimidim dhe dhunë nga familjarët e tyre më 2023, me përgjigje të dobëta nga autoritetet shtetërore kur raportonin ndonjë abuzim”, thuhet në raport, transmeton REL.

Në Kosovë, njëjtë si në vitin paraprak, sërish raportohet se të mbijetuarit e dhunës në familje përballen me pengesa dhe mungesë mbështetjeje kur largohen nga abuzuesit e tyre.

Ndërkaq, për dallim nga viti i kaluar, në raportin e sivjetmë nuk u përfshinë rastet e vrasjes së grave nga partnerë apo familjarë të tyre e as rastet e dhunës seksuale.

Vitin e kaluar u raportuan katër raste të vrasjes së grave, duke e rritur në 55 numrin e përgjithshëm të grave të vrara që nga viti 2010. Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë familjarët dhe partnerët e tyre.

Në raport përfshihen shkeljet e të drejtave të njeriut në mbi 100 vende të botës, ndërkohë evidentohen edhe progreset e bëra për luftimin e diskriminimit në vendet e analizuara.

Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia nuk janë të përfshira në raport.

Në Serbi u theksuan kërcënimet dhe intimidimet ndaj gazetarëve të pavarur, vonesat dhe mungesa e efikasitetit në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, si dhe sulmet ndaj personave të komunitetit LGBTI+.

Ndërsa, për Bosnjë e Hercegovinën theksohet “mungesa e progresit në adresimin e sistemin diskriminues elektoral të vendit” dhe ligji i ri në entitetin e Republikës Srpska për kriminalizimin e shpifjeve dhe kufizimin e financimit të huaj për shoqatat civile.

Në raportin që përmbledh ndodhitë e 2023-tës pikasin problemet e shkaktuara nga nisja e luftës së Izraelit me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, luftës në Sudan si dhe konflikteve të vazhduara nga vitet paraprake në Ukrainë, Mianmar, Etiopi dhe në rajonin Sahel.

Një tjetër problem që karakterizon raportin e sivjetme të HRW është çështja e ndryshimeve klimatike, për shkak të zjarreve masive, thatësiravedhe stuhive që shkaktuan probleme në të gjithë botën, e veçanërisht për miliona njerëz në Bangladesh, Libi dhe Kanadë.

“Pabarazia ekonomike u shtua nëpër botë, njëjtë si zemërimi për politikat që lanë shumë njerëz në luftë për mbijetesë”, thuhet në raport, ku përmenden edhe shkeljet e të drejtave të grave dhe personave LGBTI+ nga regjimi taleban në Afganistan.

Pavarësisht të gjitha shkeljeve dhe problematikave të identifikuara gjatë vitit 2023, në raportin e HRW thuhet se janë vërejtur edhe “shenja shprese që tregojnë mundësinë e një tjetër rruge”. Megjithatë, bëhet thirrje qe qeveritë kombëtare të marrin masa për ta përmirësuar situatën.

“Mbrojtja e të drejtave të njeriut në mënyrë të vazhdueshme – në të gjitha kategoritë, pa marrë parasysh se kush janë viktimat apo ku janë shkelur të drejtat – është e vetmja mënyrë për ta ndërtuar botën në të cilën duam të jetojmë”, thuhet në raportin e HRW.

Exit mobile version