Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara, që të kompensojnë komunitetin rom dhe minoritetet tjera në Kosovë, të cilët tani vuajnë nga helmimi me mbetje të plumbit, pasi ishin zhvendosur në kampet e Kombeve të Bashkuara në fund të viteve të 90-ta.
Në një raport të kësaj organizate thuhej se rreth 600 persona janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre në Mitrovicë pas luftës, në vitet 1998-1999, të cilët ishin zhvendosur në një kamp të kontaminuar me plumb nga një minierë industriale.
Human Rights Watch ka thënë se në qershor, kanë intervistuar 19 burra dhe gra, përfshi edhe fëmijë, familjet e të cilëve ishin të prekur nga helmimi me mbetje plumbi në kamp.
HRW ka konstatuar se këto familje tani përballen me probleme shëndetësore, probleme me veshkë dhe humbje të memories.
Vitin e kaluar, një panel në Kombet e Bashkuara ka gjetur se misioni i KB në Kosovë, në vitin 2000, ishte i vetëdijshëm për problemet e mundshme shëndetësore, por që nuk kishte arritur të zhvendoste personat e shpërngulur, kështu duke shkelur të drejtat e tyre.
Organizata ka thënë se Kombet e Bashkuara duhet të kompensojë dhe t’u kërkojë falje të gjithë atyre që qëndruan në kampe, megjithatë kjo e fundit nuk e ka bërë këtë.
Misioni i Kombeve të Bashkuara është në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, dhe e ka ndihmuar qeverisjen e vendit deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. /Rel/