Telegrafi

HRW: Berisha të mos ndërhyjë në procesin hetimor

Mediat në Tiranë citojnë një deklaratë të organizatës në të cilën thuhet se ka nevojë për hetime të pavarura lidhur me vrasjen e tre pjesëmarrësve në demonstratën kundër qeverisë më 21 janar në Shqipëri.

Benjamin Ward, nëndrejtor për Evropën dhe Azinë ka deklaruar se “të gjitha forcat politike duhet të lejojnë prokurorinë të zhvillojë hetimet e duhura lidhur me qëndrimin e protestuesve dhe të forcave të sigurisë”, raportoi Ora News.

Partitë opozitare në Shqipëri, shton Human Rights Watch duhet të jenë të kujdesshme të mos nxisin dhunën. Disa udhëheqës të opozitës kishin bërë deklarata të ashpra kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha para fillimit të protestës.

Deri më tani, policia nuk ka zbatuar urdhrin e Prokurores së Përgjithshme për arrestimin e gjashtë pjesëtarëve të Gardës së Republikës, përfshirë komandantin dhe dy oficerë të lartë” thuhet në deklaratën e HRW.

Sipas ligjit për të drejtat e njeriut, thekson më tej Human Rights Watch, forcat e rendit mund të përdorin forcën kundër demonstruesve të cilët ushtrojnë dhunë. Por përdorimi i forcës dhe armëve të zjarrit lejohet vetëm nëse mënyrat e tjera nuk janë të efektshme. /Telegrafi/