Telegrafi

Hristijan Mickoski zgjidhet kryetar i ri i OBRM-PDUKM-së

Hristijan Mickoski është zgjedhur kryetar i ri i OBRM-PDUKM-së, si pasardhës i Nikolla Gruevskit.

Prej gjithsej 438 delegatëve në Kongresit e sotëm të jashtëzakonshëm kanë votuar 428. Të pavlefshme kanë qenë 52 vota, ndërsa 376 kanë votuar “për” Mickoskin, si kandidat i vetëm në Kongresin e kësaj partie, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Një gjë është e sigurtë se unë do ta jap tërë fuqinë time njerëzore dhe intelektuale për të mirën e partisë dhe popullit tim”, tha kryetari i posazgjedhur Hristijan Mickoski në fillim të fjalimit para delegatëve.

“Unë i shoh si pozitive kërkimet për ndryshime të statutit të partisë si lëvizje pozitive, demokratike e jo ndarje dhe hidhërim, siç deshën ta prezantojnë armiqtë e partisë sonë. OBRM-PDUKM është emocioni më i thellë i këtij kombi, i luftës për pavarësi, OBRM-PDUKM nuk janë vetëm shtabet e partisë, por çdo qytetar i ndershëm i  këtij shteti. Maqedoninë e pret nje kohë që kërkon energji dhe aktivitet. Pasqyra për Maqedoninë është vend me ekonomi të shkatërruar, me investime të vogla, duhet  të investojmë në teknologji, zhvillimin e frymët të ndërmarrësisë, do të luftojmë në fillim ta fitojmë pushtetin dhe më pas këtë papunësi të lartë ta ulim në një  përqindje të pranueshme prej nën 10%, subvencionet bujqësore duhet të rriten, arsimi duhet të prodhojë kuadër që është konkurrues në treg ndërkombëtar, shëndetësi cilësore, të ulet çmimi i energjisë elektrike, të zhduket korrupsioni”, tha Mickoski.

Ai tha se do të dëshmojë se nuk është marionetë e dikujt, ashtu siç kanë dashur ta prezantojnë persona dhe grupe të ndryshme dhe se ai vetë është i aftë të sjellë vendim etë rëndësishme dhe se kundërshtar i tij i vetëm do të jenë LSDM-ja, duke shtuar se do t’i realizojë premtimet e dhëna për ta bërë OBRM-PDUKM-në parti më të fuqishme politike në vend dhe ta kthejë në pushtet./Telegrafi/