Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e mbajtur me shefën e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova dhe ministrën e Integrimit evropian, Dhurata Hoxha, kanë diskutuar për të gjeturat e raportit të Komisionit evropian për Kosovën.
Haradinaj ka thënë se ky raport ka të gjetura të përziera për Kosovën.
“Në javën që vjen me Minsitren Hoxha do ta ftojmë Këshillin ndërminsitror për integrime evropiane që t’i bëjmë analizë raportit më të gjetura që t’i bëjmë detyrat e shtëpisë në këto të gjetura. Është raport me të gjetura të përziera, ka përgëzime të caktuara në disa raste, ka edhe kritika për taksën dhe në përgjithësi. Por është një raport që në vlersim reflekton edhe të gjeturat dhe ngecjet e sfidat që ka Kosova”, ka thënë ai.
Lidhur më kritikat e raportit për taksën, Haradinaj ka thënë se taksa hiqet nëse Serbia është e gatshme të arrij marrëveshje me Kosovën.
“Ne kemi mirëprit angazhimin e udhëheqësve botërore, si Trump, kancelarja Merkel, dhe presidenti Macron për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Është koha që të deklarohet edhe Kosova dhe Serbia nëse jemi të gatshëm për njohje, ku në këtë rast hiqet taksa. Nëse s’ka marrëveshje për njohje e vazhdojmë gjendjen në të cilën jemi pa heqjen e taksës”, ka thënë ai.
Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, ka thënë se mesazhi më i rëndësishëm që i këtij raporti është rikonfirmimi i përspektivës europiane për të gjithë Ballkanin perendimor përfshirë dhe Kosovën.
“Për Kosovën raporti jep një reflektim të qartë se ku gjendet për momentin në implementimin e reformave. Në këtë dokument kemi bërë analizat në sektore të ndryshme. Kosova ka bërë progres në disa fusha, si me qeverisjen, apo reforma në administratën politike, statistikat në lidhje me ekonominë, sundimin e ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, ka edhe fusha tjeëra ku Koosva duhet t’i përmirësoj me hapa të shpejt. Po ashtu një ligj që është duke u përgatitur për Qeverinë, sepse kemi Qeveri të madhe me shumë ministra dhe zv.ministra. Po ashtu edhe duam të shohim aspektin transparent të shërbyesve civil. Pra, Kosova prezanton një fotografi të përzier në këtë raport”, ka thënë ajo.
Ndërsa ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, lidhur me këtë raport ka thënë se ka të arritura por edhe shumë rekomantime.
“Pranuam raportin e vendit, i cili është udhrrëfyes për ne se ku duhet të shkojmë, çka duhet të bëjmë. Është raport për shtetin jo vetëm për Qeverinë dhe Kuvendin. Është raport që reflekton gjendjen dhe situatën në Kosovë. Ka shumë të arritura që evidentohen, por kemi edhe shumë rekomandime që na tregojnë rrugën se cilat reforma jemi duke i bërë mirë dhe cilat reforma duhet t’i bëjmë me dinamikë të shtuar. Duhet të fuqizojmë sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, ka thënë ajo.
Hoxha ka folur edhe për liberalizimin e vizave, ku ka thënë se në këtë raport ka rekomandime pozitive për liberalizimin.
“Lidhur me liberalizimin e vizave kemi gjuhë shumë pozitive që e rikonfirmon që Kosova i ka plotësuar kriteret, dhe bënë thirrje që shtetet anëtare të kenë vendimarrje sa më të shpejt”, ka theksuar ajo.
Ndryshe sot Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit për vitin 2019 për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në raportin e tij për Kosovën, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike.
Në raport përmendet edhe numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj.
Ndërsa raporti thekson se situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet sfiduese.
Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, në raport thuhet e ka ende punë për tu bërë në këtë aspekt duke përmendur vendosjen e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja./Telegrafi/