Telegrafi

HP nuk e përballon kërkesën për tabletin TouchPad

Me sa duket, HP është zënë në befasi dhe nuk e kishte planifikuar mirë përgjigjen e tregut, pasi që pas lirimit të çmimit të TouchPad, tregu u përgjigj me një kërkesë të papërballueshme për prodhuesin.

Mirëpo, përkundër paralajmërimit të ndalimit të sistemit të saj operativ, webOS, HP thotë se “ne kemi vendosur që të prodhojmë edhe një sasi të fundit të tabletit TouchPad, për t’i përmbushur kërkesat e konsumatorëve të cilët kanë mbetur pa e blerë atë”.

Edhe pse nuk dihet se sa do të jetë sasia e re e prodhuar nga HP, kompania ka premtuar se do të prodhojë mjaftueshëm, në mënyrë që secili konsumator i interesuar të ketë mundësinë të blejë tabletin e saj, TouchPad.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se HP përsëri do të has në probleme me kërkesën e konsumatorëve, duke e marrë parasysh çmimin e lirë të pajisjes, dhe vendimin e kompanisë për të mos prodhuar më pajisje mobile me sistemin operativ webOS. / Telegrafi /