Zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan, Hoyt Yee, i cili ka qëndruar dy ditët e fundit në Shkup, sipas të gjitha gjasave, nuk do të vijë në Prishtinë. Ardhjen e tij e kishte paralajmëruar në një komunikatë për media kryeparlamentari Veseli pas një bisede telefonike që kishte pasur me të rreth dy javë më parë.
Por, si duket vizita e tij në Kosovë nuk do të realizohet. Yee kishte vizituar Kosovën në fund të muajit mars. Ndërkohë që kishte zhvilluar edhe dy telefonata, një me Veselin dhe një tjetër me Mustafën duke u kërkuar që ta miratojnë Demarkacionin.
Në Ambasadën Amerikane, të martën, i kanë thënë Gazetës Express se nuk kanë informacione. Michelle Schohn, zyrtare për Marrëdhënie me publikun në Ambasadën e SHBA-së, ka thënë se nuk është në dijeni për vizitën e Yee.
“Unë nuk kam ndonjë informatë se ai do të vizitojë Kosovën”, ka thënë Schohn.
Ndërkohë, shefja e kabinetit të kryeministrit Mustafa, Vlora Dumoshi ka deklaruar për Express se zyrtarisht Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ndonjë informacion për vizitën e diplomatit amerikan në Kosovë.
“Nuk kemi asgjë zyrtare rreth kësaj çështjeje. Zakonisht dhjetë ditë më herët ne njoftohemi për vizita të tilla. As nga ambasada e SHBA-ve nuk kemi ndonjë ftesë apo informacion”, ka thënë Dumoshi.
Diplomati amerikan gjatë dy ditëve të fundit ka qëndruar në Shkup ku është takuar me krerët e shteti si dhe pjesëtarë të partive opozitare.