Hoxhë Fatmir Latifaj, që është Imam në Xhaminë e Shipolit në Mitrovicë, në emisionin ‘Kojshia Show’ shpalosi shumëçka edhe punën e tij që po bënë për t’i pajtuar familjet që kishin ngatërresa në mes veti!
Ai befasohet në emision nga një familjar i një të vrari, i cili e kishte fali gjakun.
Hoxhë Fatmiri tregon se Arsim Syla në vitin 2014 kishte humbur djalin, i cili ishte vrarë në korridorin e shkollës së mesme në Mitrovicë.
“Ky burrë për hatër të Zotit e ka shtrirë dorën e pajtimit, pak ditë pas rastit tragjik… Burrat dy fjalë i kanë. Ata që e donë Zotin, Zoti ua jep mundësinë një herë në jetë me dëshmue dhe me hy në faqet e bardha të historisë. Ky edhe familja e tij dhe vëllezërit e tij kanë hy në faqet e bardha të historisë me faljen e gjakut”, tha hoxhë Fatmiri, transmeton Telegrafi.
Babai i djalit të vrarë tha se e ka falë gjakun e djalit me ndihmën e hoxhë Fatmirit.
Ndërsa, hoxhë Fatmiri citoi fjalët e Arsimit me rastin e faljes së gjakut të djalit të tij.
“Ma vëri: ‘Hoxhë, nëse e fali gjakun e djalit, a takohem ndonjëherë me djalin tem?’. I thashë, Arsim bëje njet për riza të Zotit, se Zoti ka premtu se në xhenet ka me na tubu. Më tha: Çou në këmbë bre burrë se ta paça falë për riza të Zotit”, ka treguar hoxha.
Më tej Arsimi ka rrëfyer momentin kur e kishte kuptuar se i është vrarë djali. /Telegrafi/