Telegrafi

Hoxhajn e uron homologu francez dhe i ofron përkrahjen e Francës

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka  pranuar sot një telegram urimi nga homologu francez, Jean Marc Ayrault.

Në telegramin e urimit për emërimin në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, ministri Jean Marc Ayrault e ka vlerësuar lart përkushtimin e ministrit Hoxhaj të cilit i ka ofruar përkrahje për ta ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e proceseve integruese evropiane si dhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës e Francës.

“Franca ka qenë gjithmonë përkrah Kosovës dhe ju e dini se vendi juaj mund të llogaris në mbështetjen tonë dhe ekspertizën tonë për ta shoqëruar në reformat e nevojshme në përafrimin tuaj me Evropën, në veçanti në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, thuhet në telegramin e urimit.

Ministri francez gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për ta përkrahur Kosovën edhe në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. “Ne ndajmë me ju dëshirën për të parë Kosovën të rrisë rolin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe ne mbështesim përpjekjet tuaja në këtë drejtim”, thuhet  më tej në telegramin e urimit.

Në të gjithashtu është përmendur edhe samiti i tretë për Ballkanin Perëndimor që pritet të mbahet në Paris e i cili, siç ka potencuar ministri francez, do të jetë një mundësi e mirë për ta rritur bashkëpunimin rajonal.

“Ky samit do të na mundësojë të përforcojmë dialogun tonë në dosjet e mëdha ndërkombëtare, por gjithashtu të zgjerohen shumë iniciativa të bashkëpunimit rajonal në të mirë të të rinjve dhe të projekteve të infrastrukturës. Angazhimi i qeverisë suaj do të jetë determinues për suksesin e kësaj ngjarjeje”, theksohet në telegramin e urimit të ministrit Jean Marc Ayrault. /Telegrafi/