Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar përmes Facebookut në lidhje me kundërshtimin që partitë opozitare shfaqën dje dhe sot për rezolutën e publikuar dje nga koalicioni qeverisës.
Hoxhaj tha se kjo rezolutë është pikërisht rezultat i kërkesave të vazhdueshme të të gjitha partive politike parlamentare dhe shoqërisë civile për një rol aktiv të Kuvendit të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi.
Deklaroi se ky rol do të formalizohej edhe zyrtarisht duke e votuar të gjitha partitë rezolutën meqë përmban të gjitha elementet: reflekton qëllimet tona në dialogun me Serbinë, përcakton epilogun e këtij procesi, përfshinë vijat e kuqe dhe heq çfarëdo dyshimi për atë çka duam të arrijmë në këtë dialog, si dhe i përcakton temat e panegociueshme.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se kundërshtimi nga ana e opozitës tregon se nuk kanë vullnet politik për t’i dhënë rolin që vetë e kanë kërkuar Kuvendit të Kosovës.
“Prandaj sjellja e kundërt konfirmon se nuk ka vullnet politik jo vetëm për ta përmbyllur dialogun por as për t’i dhënë rol Kuvendit sikurse është përsëritur në vazhdimësi”, theksoi Hoxhaj./Telegrafi