Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar turin e tij të vizitës duke qëndruar në Brunei, ku është pritur nga Sulltani i këtij vendi, Haji Hassanal Bolkiah, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës, para dhe pas njohjes së pavarësisë.
Në këtë takim, Hoxhaj ka shprehur vullnetin e Kosovës për t’i forcuar lidhjet mes dy shteteve dhe shoqërive në fusha të ndryshme të jetës, veçmas në ekonomi dhe arsim.
Ministri Hoxhaj ka siguruar mbështetjen e Bruneit në rast të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare.
“Takimet që kisha në Brunei me Sulltanin e këtij shteti, me ministrin e Punëve të Jashtme, me ministrin e Arsimit, si dhe me përfaqësues të odave ekonomike, flasin për mbështetjen që e ka Kosova në këtë vend, por edhe në rajonin e Azisë Juglindore. Kemi biseduar se si të kemi një bashkëpunim më të ngushtë politik në rast se Kosova do të aplikonte për t’u anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare, si dhe të ketë bashkëpunim në mes të ekonomive dhe shoqërive tona në fusha të ndryshme”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Kryediplomati kosovar ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Bruneit, Pehin Dato Lim ku kanë folur më detajisht për bashkëpunimin dypalësh pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në javët e ardhshme. /Telegrafi/