Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka takuar qytetarët e Shtimes, para të cilëve ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.
Hoxhaj duke u zotuar për zhvillim ekonomik të vendit ka premtuar fond 500 milionë euro për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla e te mesme.
“Së pari duam të zhvillojmë ekonominë, të zbusim papunësinë, të krijojmë vende te reja të punës, të rrisim mirëqenien e qytetarëve për atë prioritet i ynë i parë është zhvillimi ekonomik i Kosovës, krijimi i fondit i cili do të mbështetet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me 500 milionë euro”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj ka premtuar edhe rritje pagash për mësimdhënësit, policët, personelin shëndetësor, si dhe rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë.
“Nëse një familje ka pasur dy apo tre dëshmorë nuk të merr një pension por dy, tre, katër pensione sa dëshmorë ka, nëse dikush është veteran dhe kontratë pune do të marrë edhe pensionin e rritur. Ne do të rrisim pagat për mësimdhënësit të nivelit fillor 600 euro, për shkollat e mesme 700 euro, për Policinë e Kosovës në 750 euro, për infermiere në 650 euro”, ka thënë Hoxhaj.