Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se masat në import ndaj Serbisë janë përgjigjja më e mirë e Kosovës ndaj sjelljeve anti-evropiane dhe aspak konstruktive të Serbisë ndaj Kosovës.
Në mbledhjen e Qeverisë, ku u mor vendimi për vënien e masave në import në Serbi, Hoxhaj tha se pjesë e madhe e parave që Serbia po përdor për ta goditur sovranitetin e Kosovës vijnë nga tregtia me Kosovën dhe kjo duhet të ndalet.
Sidoqoftë, ai tha se masat në import janë hapi i parë, ndërsa Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur interesin e vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës sapo votoi vënien e masave në import ndaj Serbisë. Serbia është duke shpërndarë shuma të mëdha parash që ta godasë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës përderisa një pjesë e madhe e këtij buxheti vjen si rezultat i tregtisë me vendin tonë. Nuk mund të kemi normalizim përderisa Serbia vazhdon sulmet ndaj shtetit të Kosovës përmes fushatave anti-evropiane. Masat në import janë hapi i parë, sidoqoftë, Qeveria e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta mbrojtur sovranitetin dhe interesin e vendit. Ky vendim mbron shtetin e Kosovës dhe mbi të gjitha mbron interesin e prodhuesve vendor”, ka thënë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj. /Telegrafi/