Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare Mbretërinë e Holandës. Gjatë qëndrimit atje, ministri Hoxhaj do të pritet nga homologu i tij Bert Koenders, me të cilin pritet të diskutojë për avancimin e raporteve bilaterale ndërmjet dy shteteve si dhe për përkrahjen e mëtejme të Holandës për të avancuar në procesin e integrimeve evropiane.
Hoxhaj do të pritet edhe nga deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme të shtetit holandez, të cilët do t’i informojë për hapat e Kosovës drejt rrugëtimit për në BE si dhe për përpjekjet që Kosova po i bën për të përfituar nga ekspertiza e shteteve partnere, anëtare të BE-së.
Përveç kësaj ministri Hoxhaj, do të takohet edhe me përfaqësues të bizneseve, të cilët do t’i njoftojë me kushtet e përshtatshme që i ofron Kosova për investitorët e huaj.
Ministri Hoxhaj do të mbajë edhe një ligjëratë para një audiencë të zgjedhur, të përbërë nga akademikë dhe diplomatë. /Telegrafi/