Site icon Telegrafi

Hoxhaj thotë se Veseli e Thaçi u sollën si burrështetas, konfirmon se do të jetë ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj në një konferencë për media ka thënë se konfirmimi i aktakuzës ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe ndaj Presidentit Hashim Thaçi, si dy figura emblematike të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të lirisë e pavarësisë së Kosovës, flet për një situatë të rëndë jo vetëm për Kosovën dhe aspiratat e saj shtetndërtuese, por në veçanti edhe për PDK-në.

Ai ka shtuar se lufta e UÇK-së, ka qenë e drejtë dhe e pastër.

“Unë jam i bindur që ata do të dalin fitimtarë e faqebardhë në këtë sfidë të panevojshme e të mundimshme sepse nuk kam asnjë dyshim që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe e pastër për liri kundër një pushtuesi që po kryente masakra dhe krime kundër njerëzimit.”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtruar se ne miqtë dhe bashkëpunëtorët e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, jemi krenar për ta, të arriturat e tyre dhe sjelljen shembullore prej liderësh historikë.

Ai ka konfirmuar gjithashtu se kryesia e partisë i ka besuar atij detyrën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë.

“Kryesia e partisë ma ka besuar mua detyrën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua e për këdo që do të gjendej në pozicionin tim. Një sfidë e cila mund të përballohet vetëm nëse forcojmë solidaritetin dhe unitetin brenda partisë”, ka thënë Hoxhaj.

Në fund, Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë, është dhe do të jetë trashëgimtare e vlerave më të mira të luftës së popullit shqiptar për liri dhe me krenari do të mbrojë lavdinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version