Telegrafi

Hoxhaj thotë se mbyllja e universiteteve nuk është zgjidhje, kërkon vendim të ri nga KShC para fillimit të vitit të ri akademik

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës njëherësh zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar edhe një herë pas vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e disa universiteteve publike.

Hoxhaj në një shkrim të bërë në Facebook ka pohuar se, është i kuptueshëm reagimi publik gjatë 24-orëve të fundit lidhur me vendimin për mos lejimin e regjistrimit të studentëve të rinj në tri universitetet publike të vendit, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se si PDK dhe Qeveri do të mbesin të përkushtuar për të ndërmarrë sa më shpejt veprime të harmonizuara të të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi dhe kompetenca.

Lexo po ashtu Këshilli Shtetëror i Cilësisë jep sqarime për mos akreditim: Çdo ndërhyrje nga politika do ta denoncojmë në institucionet e drejtësisë

Tutje Hoxhaj ka potencuar se, ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës parasheh akreditimin në dy nivele – institucional dhe të programeve, prandaj një vendim i ri para fillimit të vitit të ri akademik është i domosdoshëm.

Sipas Hoxhajt, tani është koha e duhur për të bërë një rishikim të mirëfilltë të cilësisë, gjendjes në universitete dhe mbrojtjen e të drejtave të studentëve për shkollim.

Në fund të shkrimit, Hoxhaj ka thënë se duhet mobilizim shoqëror për të përkrahur zhvillimin e universiteteve sepse mbyllja nuk është zgjidhje. /Telegrafi/