Telegrafi

Hoxhaj thotë se fitorja e Fillimit të Ri nis në Prizren

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka qëndruar sot në Prizren ku ka takuar strukturat e partisë, qytetarë dhe përkrahës të Partisë Demokratike.

Hoxhaj ka falënderuar prizrenasit për përkrahjen, duke thënë se fitorja e Fillimit të ri dhe e koalicionit zgjedhor, nis nga Prizreni.

Gjatë këtyre takimeve, Hoxhaj ka folur për rritjen prej 30 për qind të pagave si prioritet i Fillimit të Ri, përkushtim i kryetarit të Partisë, Veseli si dhe i koalicionit parazgjedhor.

Megjithatë, Hoxhaj ka thënë se mbi të gjitha përkushtim i koalicionit është përmirësimi i mjedisit ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, përmes mbështetjes së sektorit privat dhe reformave të mëdha buxhetore, fiskale dhe financiare.

“Rritja e pagave është prioritet i fillimit të ri, kryetarit të PDK-së, zotit Veseli dhe koalicionit parazgjedhor. Mirëpo, përkushtimi ynë kryesor si qeveri e ardhshme do të jetë përmirësimi i mjedisit ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Kjo do të bëhet përmes mbështetjes së sektorit privat dhe reformave të mëdha buxhetore, fiskale dhe financiare”, ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj ka qëndruar në Prizren së bashku me kolegët e tij të partisë, Xhavit Haliti dhe Nait Hasani.