Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka reaguar pas deklaratës së u.d të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se nuk do të votojnë asnjë kandidat për president, as kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kadrijaj ka pohuar se nuk kanë kërkuar përkrahjen e Enver Hoxhajt, por kanë kërkuar përkrahjen e themeluesve të PDK-së, transmeton Telegrafi.
“Ne nuk kemi kërkuar përkrahje prej Enver Hoxhaj, po kërkojmë përkrahje për presidentin prej themeluesve të PDK-së, bashkëluftëtarë dhe përkrahës të z. Hashim Thaçit e Kadri Veselit dhe gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën e UÇK-së dhe kanë kontribuar në shtetndërtimin e Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Më tej, ajo ka thënë se në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi, duhet një president si Ramush Haradinaj.
“Tash është shumë e rëndësishme dhe në interes të shtetit, që për shkak të situatës në të cilën gjindemi, një personalitet si Ramush Haradinaj të jetë president”.
Ndryshe, Hoxhaj gjatë një debati televiziv ka thënë se tema e presidentit nuk është diskutuar në PDK.
“Do të ishte absurde që ne të votojmë një kandidat të partnerëve të koalicionit, ku një herë e kemi bërë Ramush Haradinajn kryeministër, një herë Isa Mustafën, dhe në vitin 2021 ne ta votojmë një kandidat që do të vijë nga ta. Presidenti është çështje e koalicionit. Ne s’mund t’i japim premtim asnjë personi për votë të presidentit. Nuk ka qenë kjo temë në PDK. Prej kryetarit Veseli rekomandim, sugjerim apo këshill, as sa i përket zgjedhjes së presidentit, as zgjedhjeve të parakohshme. Ne asnjëherë se kemi pasur asnjëherë temë në PDK”, kishte deklaruar ai. /Telegrafi/