Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se taksa ndaj Serbisë, nuk duhet të lëndojë raportet tona me ShBA dhe BE.
Hoxhaj, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se taksa definitivisht ka lënduar Serbinë.
“Në kohën kur është vendosur taksa, vendimi ka qenë i drejtë, i duhur dhe definitivisht taksa ka lënduar Serbinë. Sot e pashë një raport nga doganat e Kosovës, dhe dëmi ndaj Serbisë ishte diku 80 milion euro”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se motivet kur është vendosur taksa kanë qenë të politikës së jashtme.
“Unë jam edhe më tutje ithtarë i një qasjeje që edhe më tutje nëse Serbia vazhdon të lëndojë sovranitetin tonë të jashtëm, ne duhet të veprojmë me sovranitetin tonë të brendshëm si mënyrë që të kundër-godasim Serbinë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Hoxhaj ka thënë se duhet pasur kujdes me vendimet që nuk janë në harmoni më politikën e SHBA-së.
“Por, çka do të duhej të kemi gjithmonë parasysh, është që taksa apo çfarëdo vendimi, nuk do të duhej t’i lëndonte raportet tona më SHBA-në apo BE-në”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se interesat e Kosovës mbesin vetëm në letër pa mbështetjen e Amerikës.
“Taksa duhet të mbetet në fuqi për aq kohë sa përfaqëson interesat e Kosovës, e në të njëjtën kohë interesat e Kosovës janë të njëjta me ato të Amerikës. Ne nuk mund të kemi interesa të mëdha gjeopolitike nëse nuk kemi mbështetjen amerikane. Ne mund të kemi interesa të tilla, por ato mbesin në letër”, tha ndër të tjera Enver Hoxhaj./Telegrafi/