Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim zyrtar, ministrin për BE, Art, Kulturë dhe Media, të Austrisë, Gernot Blümel, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Duke e falënderuar për mbështetjen në rrafshin bilateral dhe multilateral të Austrisë për Kosovën, zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se Kosova është e përkushtuar që këto marrëdhënie të shkëlqyera të vazhdojë t’i intensifikojë edhe në rrafshin ekonomik, kulturor dhe fusha tjera të interesit të përbashkët.
Në takim u diskutua në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, tani që vendi ynë ka hyrë në kilometrin e fundit të këtij procesi. Zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se mbështetja e Austrisë për Kosovën në procesin e liberalizimit është jashtëzakonisht e rëndësishme.
“E falënderova mikun tim, ministrin Blümel për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën dhe theksova se përkrahja e Austrisë për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë fazë të fundit të këtij procesi”, ka thënë Hoxhaj pas takimit.
Po ashtu, palët diskutuan edhe për Kosovën dhe perspektivën evropiane të vendit tonë sikurse edhe të Ballkanit Perëndimor, si dhe dialogun Kosovë-Serbi, ku Hoxhaj theksoi se marrëveshja finale duhet të përmbajë njohjen e ndërsjellët mes dy shteteve dhe ta garantojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, përcjell Telegrafi.