Site icon Telegrafi

Hoxhaj takon delegacionin nga EUROSTAT, diskutojnë përgatitjet për regjistrimin e popullsisë më 2021

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot për takim zyrtar drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunim dhe Koordinim Statistikor në EUROSTAT, Eduardo Barredo Capelot, me të cilin kanë diskutuar lidhur me përgatitjet për regjistrimin e dytë të popullsisë në Kosovë, në vitin 2021.

Duke e falënderuar për mbështetjen dhe bashkëpunimin, Hoxhaj e njoftoi Drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunim dhe Koordinim Statistikor, Capelot, në lidhje me punën që është bërë deri më tani në funksion të përgatitjes sa më të mirë të procesit të regjistrimit të popullsisë, duke theksuar se miratimi i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave, është në proces e sipër.

“Në takim me drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunim dhe Koordinim Statistikor të EUROSTAT-it, Eduardo Barredo Capelot, kemi diskutuar në lidhje me përgatitjet për regjistrimin e dytë të popullsisë më 2021. E informova në lidhje me punën që kemi bërë deri më tash në drejtim të përgatitjes sa më të mirë rë procesit, si dhe e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin me Kosovën përmes Agjensisë së Statistikave”, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj e informoi delegacionin nga EUROSTAT edhe për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Statistika Zyrtare të Republikës së Kosovës, në përputhshmëri me Rregulloren e Parlamentit Evropian, Këshillit mbi Statistikat Evropiane, si dhe me Kodin e Praktikës së Statistikave Evropiane. /Telegrafi/

Exit mobile version