Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim Komisionin e Bundestagut gjerman për Çështje Ligjore dhe Mbrojtje të Konsumatorit, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
Duke i falënderuar për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës, Hoxhaj ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në angazhimin për sundim të ligjit dhe reforma në drejtësi.
“Kam takuar sot kryesuesin Stephan Brander dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar të Bundestagut Gjerman për Çështje Ligjore dhe Mbrojtje të Konsumatorit, bashkë me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt. Diskutuam për perspektivën evropiane të Kosovës dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës për sundimin e ligjit dhe reformat në drejtësi. Mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin”, ka thënë Hoxhaj.
Në këtë takim u diskutua për perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Hoxhaj tha se mbështetja e Gjermanisë në rrugën euro-atlantike të Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme. /Telegrafi/