Site icon Telegrafi

Hoxhaj takon ambasadorin Delawie, diskutojnë për raportin e ardhshëm të Kosovës me NATO-n

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar gjatë ditës Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie ku kanë diskutuar për agjendën e fundit të Kosovës në politikën e jashtme veçmas raportin e ri me NATO-në që pritet të jetësohet nga fundi i këtij viti.

Sipas një njoftimi, ministri Hoxhaj e ka informuar ambasadorin amerikan me vizitën e tij të fundit në New York në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si dhe në Bruksel e Strasburg ku në fokus ka pasur lobimin për njohjen e Kosovës, agjendën e liberalizimit të vizave dhe veçmas të raporteve të reja që Kosova pritet të gëzoj me NATO-në.

“Pata një takim të rregullt dhe informativ për të shkëmbyer zhvillimet e fundit në politikën e jashtme të Kosovës. SHBA-të si brenda ashtu edhe jashtë janë njëri prej shteteve kyçe mbështetëse të Kosovës dhe takimi e koordinimi me Ambasadorin amerikan në Prishtinë është i domosdoshëm. Veçmas e informova dhe kërkova përkrahjen për fazën e re që Kosova po synon ta ndërtoj me NATO-në nga fundi i këtij viti ku tashmë është projektuar edhe nga ana e Aleancës Veriatlantike”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj e ka informuar ambasadorin Delawie edhe për vizitën e tij në Bruksel dhe Strasburg, dhe nevojën e domosdoshme për të fituar të drejtën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version