Zv/kryeministri i Kosovës njëherësh nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj po shprehet i bindur se gjatë këtij viti nuk do të ketë zgjedhje të reja parlamentare.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se viti 2019 do të jetë periudhë e përmbylljes së marrëveshjes finale me Serbinë.
“Në vitin 2019 nuk ka as zgjedhje të parakohshme, as rrëzim të qeverisë e as ndryshim të partnerëve në koalicionin qeverisës. Kushdo që ka ide të këtilla dhe sheh ëndrra me sy hapur e ka gabim. Këtë vit ka vetëm përmbyllje të shtetndërtimit dhe marrëveshje paqeje me Serbinë, punë dhe angazhim për zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve, dhe ecje përpara në procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, qëndrim tjetër nuk ka në Partinë Demokratike të Kosovës, duke shtuar se deklaratat e zyrtarëve të partive tjera, kanë qëllime negative.
“Ky është qëndrimi i vetëm i PDK-së dhe çdo deklaratë tjetër është qëllim-keqe dhe synon ta dëmtojë mbarëvajtjen e punës së qeverisë dhe proceseve të rëndësishme për vendin”, përfundon postimi i Enver Hoxhajt në Facebook.
Ky reagim i Hoxhajt erdhi pas disa deklaratave nga LDK-ja dhe Vetëvendosja, të cilat pretendonin se në këtë vit do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.
Një gjë të tillë e tha dje edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri gjatë një interviste për Telegrafin. /Telegrafi/