Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka prezantuar planin e partisë për transformimin e arsimit në Kosovë, duke synuar zbatimin e mësimit tërëditor në të gjitha shkollat e vendit.
Në një video të publikuar për qytetarët, ish-ministri i Arsimit dhe kandidati i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka theksuar se ky model do të garantojë një arsim më cilësor, shkolla më të sigurta dhe më të shëndetshme, si dhe një zhvillim më të plotë të nxënësve përmes aktiviteteve jashtëshkollore.
“Mësimi tërëditor përfshin laboratorë, biblioteka, zona kreative, sport dhe art, duke u dhënë fëmijëve kushte moderne për të mësuar dhe zhvilluar talentet e tyre. Ky është standardi global i arsimit, dhe Kosova sot e ka mundësinë ta realizojë këtë” ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka rikujtuar arritjet e tij si ministër i Arsimit, duke nënvizuar faktin se kishte transformuar sistemin arsimor nga pesë ndërrime në vetëm dy ndërrime në të gjitha shkollat e vendit.
“Jam shumë krenar që, si ministër i arsimit, kam arritur që në të gjitha shkollat e Kosovës ta shndërroj mësimin nga pesë ndërrime, në dy ndërrime. Sot, prioritet e kemi mësimin tërëditor”, ka thënë ai.
PDK ka bërë të ditur se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të saj dhe se mësimi tërë-ditor do të jetë një reformë kyçe në qeverisjen e saj. /Telegrafi/