Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Serbia synon ta projektojë veten jashtë kufijve të saj

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë të gjatë për javoren boshnjake “Dani”, ka folur për marrëdhëniet e reja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pas provokimit serb përmes trenit ilegal ku ka shpjeguar edhe tensionin e vazhdueshëm që Serbia është duke e shkaktuar në rajon.

“Nga mesi i vitit të kaluar, Serbia ka arrestuar qytetarë të Kosovës pa kurrfarë arsye, ka ndërtuar një mur ilegal në Mitrovicë, lëshon fletarreste ndërkombëtare duke keqpërdorur Interpolin dhe e forcon një retorikë nacionaliste. Ky është konteksti i gjerë politik i ngjarjeve të cilat kanë ndodhur dhe treni është vetëm një simbol i rikthimit të nacionalizmit serb në raport me Kosovën. Ndaj një qasjeje të tillë, ne do të jemi të vendosur ta mbrojmë sovranitetin tonë dhe ti kontrollojmë kufijtë e Kosovës sikurse ka qenë vendimi për ndalimin e trenit. Gjithashtu ne jemi të interesuar që të dialogu të vazhdoj dhe mbi të gjitha liria e lëvizjes mes dy vendeve të jetë ndër parimet themelore të politikës tonë rajonale” ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për atë se sa i rëndon negociatat, e kaluara nacionaliste e presidentit serb Tomislav Nikoliq dhe kryeministrit Aleksander Vuçiq.

“Kur Nikoliqi dhe Vuçiqi fituan zgjedhjet në vitin 2012 dhe reagimet në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në ato evropiane ishin negative, ne ishim në një dialog ndërshtetëror me Serbinë i cili kishte filluar nën Presidentin Tadic, në vitin 2011. Dhe ndër pyetjet që ne shtronim në Prishtinë ishte se si do të duhej të sillemi nëse Nikoliq dhe Vucic do të vijnë në pushtet. Mund të them që prej reagimeve më të matura kanë qenë nga ana e Kosovës përkundër asaj që ne e dimë rolin dhe funksionet që kanë pasur në regjimin e Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë dhe ideologjinë që ata kanë përhapur në fillim të luftërave në Ish Jugosllavi. Përkundër kësaj, qasja jonë ka qenë që ata duhet të maten jo në bazë të sjelljes në të kaluarën dhe qëndrimeve që kanë mbajtur por në bazë të politikës që do ta ndjekin pas ardhjes së tyre në pushtet. Sot e kam bindjen se ata ende nuk mund të lirohen nga realiteti i Kosovës së pavarur i cili duket se i ndjek nga pas si një fantazmë”, ka deklaruar ministri kosovar.

Po ashtu, ministri Hoxhaj flet edhe për letrën që u ka dërguar 49 shteteve duke përmendur skandalin e shtetit serb me trenin me parulla nacionaliste, duke e vlerësuar se ai nuk ishte një rast i izoluar, por pjesë e “qëndrimit sistematik armiqësor i Serbisë ndaj Kosovës”.

“Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës historikisht ka qenë armiqësor, duke arritur kulmin me luftën e vitit 1999 dhe politikën serbe të pastrimit etnik. Kemi shpresuar se pas pavarësisë së Kosovës në 2008 dhe pas bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, do ta kapërcenim këtë situatë, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur”, thotë ministri Hoxhaj.

“Platforma e Qeverisë së kryeministrit Aleksandër Vuçiq e vitit 2014 përmbante një paragraf të shkurtër për Kosovën, që le hapësirë për dialog, megjithatë, nga mesi i vitit 2016, kjo platformë është zgjeruar dhe atë në aspektin e politikës së agresionit, që për Kosovën shihen si plane dhe strategji krejtësisht të papranueshme.

Për fund, Hoxhaj ka thënë se nuk e kupton se “si edhe më tutje është përpjekja e vazhdueshme e Serbisë për ta gjetur fatin e saj jashtë kufijve të saj.

“Në kohën tonë, duhet ta dijmë që interesi nacional nuk duhet vetëm të definohet në parametra territorial apo edhe historik por interesi nacional i çdo vendi ka të bëjë se si ta zhvilloj ekonominë, ta modernizoj shoqërinë dhe të konkurroj me të tjerët në rajon dhe në botë”, ka thënë Hoxhaj.

Exit mobile version