Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Serbia ka vetëm një opsion, ta pranojë Kosovën

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Serbia ka vetëm një opsion përpara dhe ai është që ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

Ish-kryediplomati i Kosovës ka thënë se detyrë e Bashkimit Evropian është ta bëjë të mundur sa më shpejt njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë dhe të sigurojë ulëse për Kosovën në OKB.

“Serbia ka vetëm një opsion dhe ai është ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ose të mbetet në mesin e viteve të 90-ta, ashtu siç është tani, me Vuçiqin dhe Daçiqin. Është detyrë e Bashkimit Evropian ta bëjë të mundur këtë pa u vonuar, pa dialog teknik, por vetëm me njohje reciproke dhe me ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nuk ka tjetër zgjidhje”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Këtë javë është publikuar një hartë me ndryshime kufijsh në Ballka,n që po raportohet se i është dërguar presidentit të Këshillit Evropian nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, si propozim për të ardhmen e rajonit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke folur për hartën, ka thënë se pajtohet me kufijtë ekzistues, duke thënë se “kufijtë e Serbisë janë me Kosovën brenda tyre”. /Telegrafi/

Exit mobile version