Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka qëndruar sot në Tiranë ku ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të organizuar nga Scan Media Grup.
Në panelin me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, zëvendëskryeministren Senida Mesi dhe personalitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Hoxhaj tha se viti 2018 duhet ta bëjë të qartë rrugën e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se strategjia e re për zgjerim duhet të japë korniza kohore për të gjitha shtetet pa dallim.
“Stabiliteti politik dhe bashkëpunimi mes shteteve është kyç për zhvillimin ekonomik të rajonit. Viti 2018 duhet të jetë vit ku rruga drejt Bashkimit Evropian qartësohet për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Është një lajm i mirë hartimi i strategjisë së re për zgjerim të BE-së, dhe presim që e njëjta të japë korniza kohore për Kosovën dhe për secilin shtet të Ballkanit, dhe pasqyrë të qartë për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.
Në margjina të konferencës, Hoxhaj ka zhvilluar takim edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet në rajon, si dhe në lidhje me perspektivën evropiane të rajonit. /Telegrafi/