Në 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, Zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj, ka thënë se rënia murit të Berlinit dhe bashkimi i dy gjermanive konsiderohet një hap i madh drejt ndërtimit të një Evrope të Bashkuar.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, në 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ka thënë se ashtu si qytetarët e Berlinit Lindor që shembën murin që i ndau nga Perëndimi, ashtu edhe Kosova shembi muret brenda të cilave po vuante nga regjimi totalitar i ish-Jugosllavisë.
“Prandaj bashkëpunimi dhe miqësia e Kosovës me Evropën, Gjermaninë e SHBA-të është në themelet e shtetësisë dhe nuk guxon të cenohet nga askush.”, ka shkruar ndër të tjera Hoxhaj.
Ky është shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:
Pas Luftës së Dytë Botërore, Muri i Berlinit u bë simbol i tiranisë komuniste. Muri ndau fizikisht Berlinin Perëndimor me atë Lindor dhe u bë vendi ku vriteshin ata që tentonin të iknin drejt botës perëndimore, për një jetë më të mirë. Rënia e Bashkimit Sovjetik solli edhe rënien e qeverisë në Gjermaninë Lindore dhe bashkimin e dy Gjermanive. Muri u shemb nga vet qytetarët dhe rënia e tij ishte hapi i parë drejt bashkimit Gjermanisë.
30 vjet pas, rënia Murit të Berlinit dhe bashkimi i dy Gjermanive konsiderohet një hap i madh drejt ndërtimit të një Evrope të Bashkuar. Evropa së bashku me SHBA-të personifikon botën perëndimore ku të drejtat dhe liritë e njeriut dhe popujve janë në themele të shtetësisë së secilit vend. Ky bazament ka bërë që edhe Kosova të ngritet si shtet i ri me ndihmën e botës së përparuar perëndimore.
Ashtu si qytetarët e Berlinit Lindor që shembën murin që i ndau nga Perëndimi, ashtu edhe Kosova shembi muret brenda të cilave po vuante nga regjimi totalitar i ish-Jugosllavisë. Prandaj bashkëpunimi dhe miqësia e Kosovës me Evropën, Gjermaninë e SHBA-të, është në themelet e shtetësisë dhe nuk guxon të cenohet nga askush.