Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar pasi kreut të PDK-së, Kadri Veselit iu konfirmua aktakuza e ngritur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.
Hoxhaj ka thënë se ka vetëm një popull që ka luftuar për liri dhe pavarësi dhe ka vetëm një UÇK që ka bërë luftë të drejtë.
“Ushtar i vendit të vet, i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës! Ka vetëm një popull që ka luftuar për liri e pavarësi. Ka vetëm një UÇK që ka bërë luftë të drejtë”, shkruan Hoxhaj.
Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i është konfirmuar aktakuza nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara.
Veseli në një deklaratë për media theksoi se nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon.
“Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”, shkruan Veseli. /Telegrafi/