Telegrafi

Hoxhaj e quan të pakuptimtë vizitën e Limajt dhe Ahmetit në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha sot se nuk ka asnjë informacion pse kanë shkuar në Bruksel bashkëkryesuesit e ekipit shtetëror për dialogun me Serbinë.

Hoxhaj tha takimet e tilla janë të panevojshme dhe nuk ka kuptim nëse nuk ka unitet në Kosovë.

“Nuk kam informatë pse janë atje, takimet e tilla mund të jenë të panevojshme nuk ka kuptim nëse ne nuk jemi unik në Kosovë Duhet gjatë këtyre ditëve t’i japim drejtim procesit të dialogut Ne duhet të japim një vendimmarrje për çështjen e  taksës”, ka thënë Hoxhaj, për Televizionin T7

I pyetur në lidhje me vizitën e këshilltarëve të kancelares Angela Merkel sot në Prishtinë, Hoxhaj tha se qëllimi i vizitës së tyre ka qenë vazhdimi i dialogut Kosovë–Serbi.

Lexo po ashtu Limaj: Në Bruksel i njoftuam se Kosova tashmë ka qëndrim zyrtar për dialogun

Sipas tij dialogu është prioritet dhe duhet të përfundojë me njohje dhe se dy këshilltarët e kanë këtë qëndrim.

Hoxhaj tha se nuk kanë biseduar për epilogun e marrëveshjes por ka një  shqetësim serioz në Berlin që dialogu është penguar.

“Taksa është bërë pengesë e vazhdimit të dialogut, gjermanët kanë ndihmuar shumë në dialogun, pas emrit të Maqedonisë, duan që të ecë çështja e Kosovës. Taksa nuk do të duhej ta reduktojë raportin tonë Kosovë-Gjermani në tarifë”, tha Hoxhaj.