Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim zyrtar homologen e tij nga Shqipëria, zëvendëskryeministren Senida Mesi.
Hoxhaj ka bërë të ditur për temat që kanë diskutuar, ku ka përmendur partneritetin në mes të të dy vendeve, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Po ashtu, Hoxhaj ka propozuar heqjen e taksës së librit, e cila do të mundësonte shkëmbim pa pengesa të dijes dhe ideve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Hoxhaj dhe Mesi kanë folur edhe për temat që do të diskutohen në mbledhjen e dy qeverive më 27 dhe 28 nëntor.
“Pata nderin dhe kënaqësinë ta prisja në takim zyrtar, homologen time nga Shqipëria, zëvendës kryeministren, Senida Mesi. Diskutuam për partneritetin natyral dhe strategjik mes dy vendeve tona, dhe mundësitë e zgjerimit të këtij partneriteti në fusha të ndryshme.
Një temë e rëndëshishme që e diskutuam është heqja e taksës së librit e cila do ta mundësonte shkëmbimin pa pengesa të ideve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo është një temë të cilën do ta diskutojmë edhe në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, së bashku me tema të tjera të rëndësishme që do të kontribuojnë në afrimin e qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe do ta lehtësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve të të dy shteteve”, ka thënë Hoxhaj.