Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka vizituar sot burgun muze të Prishtinës, bashkë me ish të burgosur politikë të regjimit. Nga atje, Hoxhaj tha se PDK-ja është parti e ngritur mbi themelet e këtij brezi atdhetarësh e idealistësh.
Përmes një postimi në Facebook, Enver Hoxhaj ka njoftuar se ka vizituar sot burgun muze të Prishtinës, nga ku ka ka thënë se si kryeministër i ardhshëm do të kujdeset për ta dhe për familjet e tyre.
“Prandaj, si kryeministër i ardhshëm, u zotova para këtyre heronjve të gjallë se angazhimi im dhe i PDK-së do të jetë kujdesi dhe mbështetja shtetërore për ta dhe familjet e tyre. Vetë PDK-ja është ngritur mbi themelet e këtij brezi atdhetarësh e idealistësh”, ka shkruar Hoxhaj.
Lexoni të plotë statusin e tij në Facebook:
Përjetova emocione të veçanta derisa me miqtë e mi, ish të burgosurit politikë të regjimit serb, Bajrush Xhemajlin, Isak Shabanin, Halil Selimin, Besim Zogajn, Ilmi Ramadanin dhe Emin Sallahun ecëm nëpër korridoret e errëta e të ngushta të burgut të Prishtinës, tani i shndërruar në muze. Në këtë burg dhe në dhjetëra si ky, vuajtën torturat më çnjerëzore mijëra atdhetarë e veprimtarë të çështjes kombëtare.
Në mure dhe kudo në hapësirat e vogla të burgut janë akoma të freskëta imazhet e një regjimi vrasës e të aparteidit. Në këto qeli të frikshme synohej të shtypej vullneti i një populli për liri, të korruptohej mendja e tyre dhe të tjetërsohej ana njerëzore e kombëtare. Por, këtë nuk e arritën kurrë. Në fund ngadhënjeu e vërteta, atdhedashuria dhe idealet për një Kosovë të pavarur.
Prandaj, si kryeministër i ardhshëm, u zotova para këtyre heronjve të gjallë se angazhimi im dhe i PDK-së do të jetë kujdesi dhe mbështetja shtetërore për ta dhe familjet e tyre. Vetë PDK-ja është ngritur mbi themelet e këtij brezi atdhetarësh e idealistësh.
Por, njëkohësisht, PDK-ja është dëshmuar parti e hapur edhe për brezat e rinj dhe ekspertët e fushave të ndryshme. Prandaj, sot e ftoj secilin t’i bashkohet në këto zgjedhje familjes sonë të madhe politike.