Taksa e vendosur prej më shumë se dy muaj nga Qeveria e Kosovës prej 100 për qind, për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk do të largohet. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj të enjten në një adresim para mediave.
Sipas tij, janë duke u menduar ide kreative të ngjashme me taksën që mund të jenë befasi për opinionin. “Taksa ka qenë mënyrë më interesante për të demonstruar se Kosova është shtet dhe askush nuk mund ta ndal rrjedhën e historisë”, tha Hoxhaj.
Republika e Kosovës sipas Hoxhajt, pos taksës ka edhe ide tjera kreative, si kundërpërgjigje për pengesat e Serbisë në arenën ndërkombëtare. “Si ministër i jashtëm për 7 vite që kam qenë dhe i kam vizituar këto vende nuk do jetë e pranueshme të rri kokë ulur nëse Serbia e godet Kosovën, kemi ide edhe tjera kreative nëse nuk ndalen”, tha ai, raporton Telegrafi.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka ftuar përfaqësuesen e lartë të BE-së Frederica Mogherimni që të ushtroj presion mbi Serbinë, për t’i ndalur kampanjat për tërheqjen e njohjeve nga shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës.
“Interesat tona si shtet dhe të Amerikës janë të njëjta edhe te BE-së dhe mes partnerëve mund te ketë tensione, jemi në rrugë të mbarë që Serbisë me ia tregu në mënyrë të qartë se duhet ta ndal këtë agresion diplomatik dhe Mogherimi e të tjerët do ushtrojnë ndikimin mbi Beogradin me ndal këtë kampanjë për tërheqjen e njohjes”, ka thënë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, si përgjigje ndaj këtyre shteteve për pengesat që i bëjnë shtetit të Kosovës. /Telegrafi/