Telegrafi

Hoxhaj përshëndet deklaratën për vëllezërit Bytyçi: Serbia duhet ta pranojë përgjegjësinë për krimet në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka përshëndetur deklaratën e Kuvendit të Kosovës, që u miratua sot, e cila kërkon zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyçi dhe dënimin e përgjegjësve për këtë krim.

Hoxhaj tha se miratimi i kësaj deklarate është hap jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke shtuar se Serbia duhet të ndalojë së mohuari krimet e saj në Kosovë.

Mbi të gjitha, Hoxhaj theksoi se shteti serb duhet ta pranojë përgjegjësinë për fushatën e spastrimit etnik dhe mijëra viktima civile që u vranë si rezultat i asaj fushate. Ai paralajmëroi se Kosova nuk do të ndalet derisa përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

“Miratimi i Deklaratës së Kuvendit të Kosovës në lidhje me vrasjen e vëllezërve Bytyçi, në seancën e sotme, duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe dënimin e përgjegjësve për këtë krim, është hap jashtëzakonisht i rëndësishëm. Serbia duhet të ndalojë së mohuari krimet e saj në Kosovë dhe ta pranojë përgjegjësinë për fushatën e spastrimit etnik dhe mijëra viktima civile. Kosova nuk do të ndalet derisa përgjegjësit të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook. /Telegrafi/